Fatmir Vata i jep një këshillë Kumbullës për të ardhmen

Sport

Në listën e gjatë të skuadrave që janë të interesuara për Marash Kumbullën është shtuar edhe Borusia e Dortmundit. Veç Interit, Napolit, Chelsea-t, apo Manchester Junaited, në garë janë edhe gjermanët, siç konfirmon “Sportbuzzer.de”, që mbi mbrojtësin 19-vjeçar ka marrë edhe mendimin e një prej ish-futbollistëve të Kombëtares shqiptare, Fatmir Vata. Ai ka sugjeruar një lëvizje drejt Bundesligës për talentin kuqezi, duke thënë se: “Dortmundi do t’i përshtatej më së miri Kumbullës dhe një kalim i mundshëm te Borusias do të ishte hapi i duhur për karrierën e tij. “Ai do të kishte më tepër mundësi në Dortmund, sesa për shembull, në Manchester. Në skuadra të atilla nuk ke kohë për t’u zhvilluar me qetësi”.
Kumbulla vjen nga të rinjtë e Hellas Veronës dhe ka mundur të bëjë kërcimin te skuadra e parë vetëm gjatë këtij sezoni. Mbrojtësi shqiptar është shndërruar në një nga titullarët e Veronës në Serinë A, ku ka luajtur 12 ndeshje. Ndërsa portali “transfermarkt.de” e vlerëson 10 milionë euro kartonin e tij. Kurse Vata që e ka parë disa herë në veprim, 19-vjecarin e përshkruan kështu: “Eshtë i gjatë dhe i fortë në dyluftime. Mund të përdoret në disa mënyra. Gjithashtu është tepër i rrezikshëm kur bëhet fjalë për situata nga goditjet standarde”, është mendimi i ish-lojtarit, që ka 88 ndeshje në Bundesligën gjermane gjatë karrierës së tij me skuadra si Arminia Bielefeld, Valdhof Mannheim e TuS Koblenz. Pikërisht, kjo është edhe një nga arsyet që Vata e konsideron Gjermaninë si një vend perfekt për zhvillimin e futbollistëve shqiptarë. “Unë jam ndjerë vërtet mirë këtu. Por mund flas se e njëjta gjë ka qenë edhe për Altin Lalën apo Ervin Skelën. Kumbulla ka përpara një të ardhme të madhe, por që në këtë moment duhet të vazhdojë në Bundesligë”, ka sugjeruar ish-mesfushori.