Fati i Rudi Garcias në krye të Napolit, tashmë është i vendosur. Francezi nuk do të jetë më në krye të skuadrës kampione të Italisë. Vetëm 5 fitore në 10 ndeshjet e para në të gjitha kompeticionet, 3 humbje dhe 2 barazime, janë balance që rëndojnë nga ana negative e peshores, kështu që shumë shpejt, 59 vjeçari do të mësojë në rrugë zyrtare, vendimin për pushimin nga puna.
Mediat italiane dhe jo vetëm, e bëjnë të sigurt një gjë të tillë, e po ashtu raportojnë se presidenti De Laurentis nuk mund të presë dot më, sepse të tjera rezultate negative, do ta përjashtonin Napolin nga çdo objektivat madhor, ende pa u nxehur mirë sezoni.
Në rrethana si këto, krerët e Napolit, me në krye De Laurentis kanë zgjedhur edhe trajnerin e radhës dhe ai do të jetë Antonio Conte. Nga ish-timonieri i Interit pritet vetëm pranimi i ofertës dhe më pas do të hidhen hapat e tjera.
Pikërisht pauza e kombëtareve, konsiderohet si moment ideal që Napoli të bëjë këtë lëvizje dhe në kampin bardhekaltër janë besimplotë se Conte do të pranojë. Nëse ky i fundit thotë “po”, atëherë Napoli do të nisë menjëherë nga puna për të zgjidhur me mirëkuptim çështjen kontratës me Rudi Garcia, marrëveshja aktuale e të cilit përfundon në verën e 2025-tës.
Nga ana tjetër, nëse Conte nuk vjen, atëherë, dy profilet alternative që komentohen për të marrë drejtimin e Napolit, janë Igor Tudor, ose Christophe Galtier.