Famalicao, skuadra ‘surprizë’ që mposhti Sportingun dhe kryeson kampionatin

Sport

Të ardhur nga kategoria e dytë, ata shiheshin si një nga skuadrat e vogla që do luftonin për mbijetesën në ‘Primeira Liga’ në Portugali, por Famalicao vazhdon t’i mahnisë të gjithë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Joao Pedro Sousa ka arritur t’i bindë të gjithë teksa kaloi një nga provat më të vështira të sezonit, Sportingun e Lisbonës. ‘Luanët’, të cilët luanin në shtëpi, kaluan të parët në avantazh, por Famalicao nuk hoqi dorë dhe ia doli të përmbysë gjithçka në pjesën e dytë, duke rimarrë kryesimin e klasifikimit, përpara Benfikës dhe Portos.

Famalicao është një skuadër me moshë mesatare 23 vjeç dhe e ndërtuar me kujdes nga drejtuesit, që kanë afruar gjatë verë lojtarë të rinj që nuk kanë mundur të gjejnë hapësira në skuadrat e mëdha ku bënin pjesë. Flasim për lojtarë të ardhur nga Atletico Madrid, si Gustavo Assunçao, Nehuen Perez apo Nicolas Schiappacasse. Alex Centelles dhe Uros Racic nga Valencia, Guga dhe Diogo Gonçalves nga Benfica, Pedro Gonçalves nga Wolverhampton e shumë të tjerë. Disa të blerë përfundimisht e disa me marrëveshje huazimi, lojtarët kanë krijuar një grup që luan futboll të bukur dhe sulmues, duke fituar mbështetjen e shumë tifozëve në Portugali e jo vetëm. Vlera e gjithë klubit nuk i kalon 20 milionë eurot, shifër kjo që në fakt është rritur së fundmi. Në krye është një emër ndoshta jo shumë i njohur si Joao Pedro Sousa, Por 48-vjeçari është ndoshta elementi më i rëndësishëm i Famalicaos. Sousa ka qenë asistenti kryesor i trajnerit Marco Silva prej shumë vitesh dhe e ka ndjekur trajnerin aktual të Everton në çdo etapë të karrierës, si tek Sporting, Olympiacos, Hull City, Watford apo edhe së fundmi Everton. Sousa vendosi të largohej pas kaq kohësh bashkëpunim me Marco Silvan pikërisht për të nisur një aventurë me Famalicaon, që deri më tani ka rezultuar të jetë një nga historitë më frymëzuese të futbollit.