Fushata e merkatos së kësaj vere te Reali i Madridit ka qenë më së shumti me ndërhyrje të vogla pa e fryrë shumë buxhetin. Aktualisht bilancet janë pozitive me një plus-valencë 8 milionë euro. 132 milionë ishin të ardhurat e merkatos dhe 124 shpenzimet. 117 milionët e deklaruara si të ardhura vetëm nga lëvizja e Ronaldos, nuk është se u shpenzuan për vetëm një lojtar. Angazhimi i Vinicius Junior për 45 milionë euro nga Flamengo tashmë është i justifikueshëm në bilance. Po kështu edhe i Thibaut Courtois apo Odriozolas nga 35 dhe 30 milionë euro.
Por tanimë me këtë situatë, nëse Reali kërkon të investojë më tej në këto 15 ditë të tjera të mbetura të gushtit, duhet që të largojë edhe të tjerë lojtarë. Pra të arkëtojë para për të respektuar më pas “Fair-Play”-in financiar. Julen Lopetegui ka kërkuar ndërhyrje në mbrojtje dhe sulm. Ndërkohë me largimin e Kovacic, zgjidhja duket se është parë në akademi. Synimi i përfolur, Milinkovic-Savic, kushton shumë. Si një njohës i mirë i akademisë dhe strukturave zinxhire të Madridit, Lopetegui ka marrë në skuadër të parë Federico Valverden. 20-vjecari nga Montevideo së bashku me Dani Ceballos konsiderohen si zëvendësuesit e Kovacic.