Kanë kaluar 5 sezone nga hera e fundit që është shpallur kampion bote në Formula 1. Por Sebastian Vettel me Ferrarin tashmë duket favoriti i ri për të triumfuar këtë sezon. Megjithatë, sipas pilotit gjerman, për arritjen e objektivit duhet që ai dhe e gjithë skuderia të mbeten të përqendruar përgjatë pjesës së mbetur të sezonit, pa u shpërqendruar për asnjë cast. Me shumë mundësi, diferencën në garën me Hamilton do ta bëjë zhvillimi i makinave, gjatë vijimit të sezonit.
Në lidhje me këtë, vetë gjermani ka deklaruar se “pikërisht, kyçi do të jetë të mendohet sesi të përmirësohet Ferrari deri në fundin e vitit, megjithëse funksionoi mirë në një pistë si ajo e Silverstone”. Vettel tashmë po përgatitet për garën e javës së ardhshme në ‘shtëpinë’ e vet, në Hockenheim. Kryesuesi aktual i renditjes së pilotëve të Formula 1 do të kërkojë të përfitojë nga GP e Gjermanisë, për të rritur edhe më shumë avantazhin prej 8 pikësh që ka për momentin kundrejt Hamilton. Por mbi të gjitha dëshiron të ketë një “plus” në planin psikologjik.