Sebastian Vettel do të zhvillojë sezonin e tij të gjashtë në radhët e Ferrarit, teksa vijon të jetë në kërkim të titullit të pestë si kampion bote. Edhe tek Ferrari, titujt mungojnë prej plot 13 vitesh dhe konkurenca me Mercedes në sezonet e fundit e ka bërë akoma më të vështirë për skuderinë nga Maranello. Megjithatë, sipas Vettel, Ferrari nuk do të heqë dorë nga rivaliteti që ka me Mercedes dhe shumë shpejt, ai i siguron të gjithë se skuadra e tij do të rikthehet sërish në maja. Piloti gjerman u shpreh se shpesh, njerëzit gabojnë dhe e keqkuptojnë ‘kulturën’ e Ferrarit për të ruajtur disa tradita apo rregulla që kanë ekzistuar në këtë skuadër që përpara se ‘Formula 1’ të arrinte në këto nivele. Vettel thotë se cdo gjë brenda bokseve duket të jetë e lidhur me italianët dhe zakonet e tyre, por sipas tij, njerëzit nga jashtë gabojnë kur mendojnë se drejtuesit e Ferrarit janë shumë ‘të hekurt’ sa i përket traditave të skuadrës. E gjitha kjo bëhet që Ferrari të ruajë balancat mes historisë së saj dhe modernizimit të sportit, teksa 4 herë kampioni i botës shtoi se në Maranello i japin shumë rëndësi talenteve të reja. Vettel nuk është dakord me deklaratat që kritikojnë sjelljen e Ferrarit me pilotët e rinj, pasi sic theksoi ai, drejtuesit i japin shanset që meritojnë të gjithëve, por sigurisht që nuk mund të vihet një projekt i tërë në rrezik për shkak të një eksperimenti. Në fund, 32-vjecari foli për shtyrjen e sezonit në ‘Formula 1’, dicka që sipas tij mund të ndikojë shumë tek skuadrat në muajt e adhshëm. Kalendari me gjasa do të vijojë të ngjeshet dhe një tjetër gjë që shqetëson Vettel është fakti se pilotët nuk kanë bërë përgatitjen e duhur fizike për të përballuar gara cdo fundjavë, dicka që sipas tij duhet ta marrin parasyshs edhe drejtuesit e lartë të kategorisë elitare të garave me makina.