F1, Vettel fiton në Melbourne dhe ndez duelin me Hamilton

Sport

Sebastian Vette

Sebastian Vettel është fituesi i garës së parë të “Formula 1” për vitin 2018.
Piloti gjerman i Ferrarit ka arritur të bëjë nje garë të shkëlqyer në Melbourne dhe i ndihmuar edhe nga strategjia e skuadrës së tij, ai ia doli të lërë pas vetes kampionin e botës në fuqi, Lewis Hamilton.

Që në start, gara ishte mjaft e ndezur mes pretendentëve, të cilët gjithësesi ruajtën pozicionet e tyre. U nis mirë edhe skuadra surprizë e fundjavës në Australi, ajo Haas, që i rrëmbeu madje një pozicion Red Bull me anë të Kevin Magnussen. Mirëpo gara që po shënohej si më e mira e historisë së skuadrës amerikane u kthye në një makth, teksa konstruktorët gabuan në momentin e ndalesës në bokse.
Nga ana tjetër, Ferrari shfrytëzoi më së miri momentin ku në pistë mbizotëronte flamuri i verdhe, për të nxjerrë në krye të garës Sebastian Vettel. Gara në vazhdim nuk pati surpriza teksa podiumin e plotësoi Kimi Raikkonen. Paraqitje mjaft e mirë edhe e McLaren, që pas zhgënjimit të sezonit të kaluar, duket krejtësisht një tjetër skuadër tani. Fernando Alonso e mbylli garën në vendin e pestë, mes dy makinave Red Bull, por ajo që ra në sy ishte se spanjolli kishte potencialin të përballej me rivalët. Gara e ardhshme e “Formula 1” do të zhvillohet më 8 prill, në pistën e Sakhir në Bahrein.