F1, Vettel fiton në Belgjikë, por Hamilton ruan kreun

Sport

vettel
Sebastian Vettel ka triumfuar në “Spa-Francorchamps”, në një pistë ku Ferrari nuk fitonte prej thuajse 10 vjetësh. Piloti i Ferrarit ishte dukshëm më i shpejti në garën e Belgjikës, dhe arriti të siguronte kreun që në kthesat e para, pas një parakalimi spektakolar në dëm të Lewis Hamilton. Makina italiane ishte mjaft e shpejtë gjatë kësaj fundjave, dhe Vettel shfrytëzoi gjithë hapësirën e anës së jashtme të trajektores në kthesë, për të lënë pas vetes britanikun dhe dy makinat “Force India”.  Gara filloi me një aksident të rëndë që në kthesën e parë, ku Hulkenberg me Reanult goditi nga pas Fernando Alonson, që pa McLaren-in e tij të fluturonte sipër Leclerc. Skuadrat ndoqën kryesisht strategjinë me 1 ‘pit-stop’ dhe Vettel ruajti më së miri vendin e parë.

hamilton f1

Hamilton nga ana tjetër nuk sforcoi makinën e tij, por preferoi të ruante pozicionin e dytë, çfarë e mban në krye të klasifikimit për pilotë. Podiumi u plotësua nga Verstappen me Red Bull, që pati edhe mbështetjen e shumë tifozëve holandezë të ardhur enkas. Piloti tjetër i Mercedes, Valteri Bottas bëri gjithashtu një garë të shkëlqyer, pasi edhe pse u nis nga vendi i 17, arriti ta mbyllte i 4-ti. Kurse ‘Force India’, me vendet 5 e 6 siguroi pikët e para të sezonit nën pronësinë e re.  Në renditjen e përgjithshme, Lewis Hamilton numëron 231 pikë, 17 më shumë se Vettel i vendit të dytë. Ndërsa në betejën e konstruktorëve, Mercedes ka për momentin 375 pikë, 15 më shumë se skuadra e Ferrarit, që javën e ardhshme garon në shtëpinë e saj në Monza të Italisë.