Sebastian Vettel është përballur me zhgënjimin më dy garat e fundit të “Formula 1”, ku tashmë diferenca e tij me Hamilton, që kryeson renditjen e përgjithshme për pilotë është 24 pikë. Pavarësisht kësaj, piloti gjerman i Ferrarit beson tek skuderia italiane dhe se botërori mbetet i hapur. Sipas tij, pjesa e dytë e sezonit mund të sjellë shumë përmbysje në luftën për titull.
“Këtë vit kemi treguar se makina jonë është më efikase dhe më e fortë se ajo e rivalëve. Megjithatë, unë jam i bindur se Ferrari ka ende potencial për të treguar”, u shpreh Vettel.
Kështu, 4 herë kampioni i botës është i bindur se gjërat do të ndryshojnë pas pushimeve verore. Gjermani beson se ai dhe Ferrari kanë mësuar nga gabimet e vitit të kaluar, kur në pjesën e dytë të sezonit humbën tërren përballë rivalëve të Mercedes. Ai shton se tashmë ka vazhdimësi dhe makina është e shpejtë. Gjëra të rëndësishme këtë, sidomos kur flasim për luftën për titullin kampion. Në garat e fundit, Vettel dhe Ferrari kanë zhgënjyer të tregojnë atë që tifozët e “kokëkuqes” prisnin, por gjithësesi, tek skuadra italiane është optimizmi se ky mund të jetë viti i duhur për të thyer dominimin e Mercedes në botën e “Formula 1”. Aktualisht, Hamilton mban vendin e parë në renditje me 213 pikë, ndërsa Vettel ndjek me 189. Ndërsa në luftën e konstruktorëve, diferenca mes Mercedesit kryesues dhe Ferrarit është vetëm 10 pikë.