F1, Verstappen triumfon në Suzuka; ‘Red Bull’ fitojnë titullin e konstruktorëve

Sport

Max Verstappen ka arritur të dominojë deri në fund fundjavën e ‘Formula 1’ në Suzuka të Japonisë, duke marrë një fitore që më shumë se sa pilotit holandez, i vlejti skuadrës ‘Red Bull’. Për të dytin vit radhazi dhe për të katërtën herë në historinë e tyre, ata të ‘Red Bull’ siguruan titullin e konstruktorëve, ndonëse piloti tjetër, Sergio Perez, nuk ia doli ta mbyllte garën. Verstappen nisej nga vendi i parë dhe ia doli të mbronte në mënyrë agresive pozicionin e tij kundrejt sulmeve të makinave McLaren. Norris dhe Piastri po ashtu zhvilluan një garë shumë të mirë, duke e mbyllur në podium, çfarë dëshmon edhe njëherë tjetër ndryshimin radikal të markës britanike në pjesën e dytë të sezonit. Vendi i katërt dhe i gjashtë për Ferrari-n, që pa Leëis Hamilton të renditej mes Charles Leclerc dhe Carlos Sainz. Më pas, renditja vijon me George Russell, Fernando Alonso, Esteban Ocon e Pierre Gasly. Pikërisht dyshja e skuadrës ‘Alpine’ krijoi një polemikë në fundin e garës. Drejtuesit e tyre i kërkuan Ocon të lejonte Gasly përpara, duke qenë se kishte një ritëm pak më të lartë, me shpresën se do të arrinte Fernando Alonso-n. Mirëpo Gasly nuk ia doli as t’i afrohej sadopak pilotit spanjoll të Aston Martin dhe ata të ‘Alpine’ i kërkuan francezit t’i rikthente pozicionin Ocon. Fillimisht Gasly nuk e pranoi këtë gjë, duke e quajtur si një lëvizje të palogjikshme, pasi bëhej fjalë për vendet 9 dhe 10. Në fund, Ocon do të dilte përpara, duke krijuar një situatë jo shumë të kënaqshme brenda skuadrës.

Verstappen ndërkohë ka arritur në kuotën e 400 pikëve, 177 më shumë se sa ndjekësi i tij më i afërt, që mbetet shoku i skuadrës tek ‘Red Bull’, Sergio Perez. Me këtë diferencë të madhe, matematika tregon se ekziston mundësia që Verstappen të sigurojë titullin e tretë si kampion bote që në ndalesën e radhës së botërorit, në Katar, madje që në garën ‘Sprint’, ndonëse në këtë rast do të duhej të kombinohej edhe me një dështim të Sergio Perez.