F1, Verstappen triumfon edhe në Kanada; ‘Red Bull’ garon në tjetër nivel

Sport

Max Verstappen ka arritur të sigurojë një fitore historike në garën e radhës të ‘Formula 1’, në Kanada, ku ia doli të siguronte triumfin numër 41 në karrierë, duke barazuar një nga legjendat e këtij sporti, Ayrton Senna. Piloti holandez dominoi në cirkuitin Gilles-Villeneuve në Montreal, duke mos e vënë në asnjë moment në diskutim triumfin e tij. Për ‘Red Bull’, kjo ishte fitorja e 100 në histori, duke iu bashkuar kështu emrave si Williams, Ferrari e McLaren, si të vetmet që e kanë realizuar një gjë të tillë në elitën e garave me makina.
Sa i përket garës në Kanada, betejë të bukur ofruan dy veteranët Lewis Hamilton e Fernando Alonso. Ky i fundit ia doli të merrte më të mirën nga Aston Martin-i, duke e mbyllur i dyti, teksa britaniku i Mercedes, u desh të kënaqej me shkallën më të ulët të podiumit. Kanë shfaqur përmirësime të ndjeshme ata të Ferrari-t, që panë makinat e tyre të renditen në vendet 4 e 5, me Charles Leclerc përpara Carlos Sainz. Lando Norris ishte një nga pilotët që solli më shumë spektakël me parakalimet e tij, mirëpo një duel në metrat e fundit me Esteban Ocon i kushtoi shumë, duke e parë veten jashtë zonës së pikëve. Vetëm vendi i gjashtë për Sergio Perez me ‘Red Bull’, që iu desh të zhvillonte një tjetër garë në ngjitje, ndërsa në radhë vijën e finishit e kaluan Alex Albon, Ocon, Lance Stroll e Valtteri Bottas, që kompletuan zonën e pikëve. Kështu, Verstappen thellon edhe më tej distancat në renditjen e përgjithshme për pilotë, me 195 të grumbulluara e me 6 gara të fituara nga tetë të zhvilluara deri më tani. Perez vijon të mbetet në vend të dytë me 126 pikë, vetëm 9 më shumë se sa Fernando Alonso. Ndërsa në renditjen për konstruktorë, ‘Red Bull’ duket se po shkon drejt një tjetër titulli, pasi aktualisht numëron 321 pikë, me Mercedes që mbetet ndjekësi më i afërt me 167 pikë.