F1, Verstappen siguron fitoren e tetë radhazi; Leclerc dërgon Ferrari-n në podium

Sport

Max Verstappen kërkon të thyejë rekordin e 9 fitoreve radhazi të Sebastian Vettel. Piloti holandez siguroi triumfin e tetë, në pistën e ‘SPA Francochamps’, ku nuk munguan spektakli dhe parakalimet. Kampioni i botës në fuqi ia doli të rikuperonte shumë shpejt pozicionet, pasi e nisi garën me një penalizim prej 5 pozicionesh, derisa mbërriti në duelin brenda skuadrës ‘Red Bull’ me Sergio Perez. Që nga momenti kur mori kryesimin e garës, gjërat u bënë shumë të thjeshta për Verstappen, ndërkohë që Perez thjesht mbrojti vendin e dytë nga kërcënimi i Charles Leclerc. Piloti monegask i siguroi Ferrari-t një podium shumë domethënës në Belgjikë, ndonëse vetë 25-vjeçari kërkon akoma më shumë. Pas garës, Leclerc u shpreh se diferencat me makinat ‘Red Bull’ janë akoma shumë të mëdha, prandaj tek marka italiane do të vijojnë punën për t’u përmirësuar edhe më tej. Podiumi i arritur në këtë garë vjen si një fryt i punës së gjatë të Ferrari-t, por edhe makinat e tjera kanë shfaqur po ashtu një ritëm të ngjashëm. Një gabim në strategji bëri që Hamilton të kënaqej vetëm me vendin e katërt, ndërsa pasi tij, në radhë u renditën Fernando Alonso me Aston Martin, George Russell me Mercedes, Lando Norris me McLaren, Esteban Ocon me ‘Alpine’, Lance Stroll me Aston Martin dhe Yuki Tsunoda me ‘AlphaTauri’, që mbyllën edhe zonën e pikëve. Garë për t’u harruar për Carlos Sainz, që pa t’i kompromentohej gjithçka që nga fillimi, pas një kontakti në nisjen e garës me pilotin e McLaren, Oscar Piasti. Ky i fundit, pasi bëri një paraqitje shumë të mirë në garën ‘Sprint’ të së shtunës, qëndroi shumë pak mbi pistë.

Verstappen bën një tjetër hap drejt rekordit të Vettel, teksa mban vendin e parë në renditjen e përgjithshme për pilotë me 314 pikë. Në këtë mënyrë, janë zgjeruar edhe më tej distancat me vendin e dytë, që vijon të mbahet nga Sergio Perez, tani në kuotën e 189 pikëve. Vendi i tretë për Alonson me 149 pikë, vetëm 1 më shumë se sa britaniku i Mercedes, Lewis Hamilton.