F1, Verstappen e ka të thjeshtë në Spielberg; ‘ringjallet’ Ferrari

Sport

Max Verstappen vazhdon fluturimin e tij drejt konfirmimit si kampion bote në ‘Formula 1’. Piloti holandez siguroi fitoren e radhës, në atë që cilësohet si ‘pista e shtëpisë’ për skuadrën ‘Red Bull’, në Spielberg të Austrisë. Verstappen dominoi përgjatë gjithë fundjavës në cirkuitin austriak, duke e mbyllur i pari edhe në garën e së dielës. Vendi i parë i holandezit nuk u cënua në asnjë moment në mënyrë serioze dhe për të u duk shumë e thjeshtë për të marrë pikët maksimale në ndalesën e radhës së botërorit të garave me makina. Padyshim që ‘kryefjala’ e fundjavës në Austri ka qenë ‘ringjallja’ e Ferrarit, që është rikthyer të bëjë paraqitje të mira, me Charles Leclerc që e mbylli në vendin e dytë. Ndërsa Sainz pati një duel mjaft intensiv me Sergio Perez për shkallën e fundit të podiumit, me ‘Red Bull’-in e meksikanit që doli triumfues. Spanjolli i Ferrarit e kaloi i katërti vijën e finishit, por u zbrit poshtë në renditjes pas një penaliteti prej 10 sekondash që mori nga komisarët e garës, për tejkalim të limiteve të pistës, pavarësisht paralajmërimeve të shumta. Njësoj si Sainz, e pësuan edhe 7 pilotë të tjerë, çfarë bëri që të ndryshonte renditja e dhjetë vendeve të para, por pa e cënuar podiumin Kështu, vendi i katërt do të shkonte për Lando Norris, që më fund solli një fundjavë të mirë për skuadrën McLaren. Më pas u renditën Fernando Alonso me Aston Martin, Carlos Sainz me Ferrari, George Russle e Lewis Hamilton me Mercedes, Lance Stroll me Aston Martin dhe Pierre Gasly me ‘Alpine’, çfarë plotësuan edhe zonën e pikëve. Max Verstappen numëron tashmë 229 pikë të grumbulluara në renditjen e përgjithshme për pilotës, duke zgjeruar në 81 pikë distancën me Sergio Perez, që mbetet në vendin e dytë. Akoma më larg kryesimit janë Fernando Alonso me 131 pikë dhe Lewis Hamilton me 106.