Max Verstappen e ‘Red Bull’ nuk kanë ndërmend të ndalen. Piloti holandez ka zhvilluar një tjetër garë perfekte, këtë herë në Hungari, ku edhe pse nisej nga vendi i dytë, ia doli të fitonte duelin me Lewis Hamilton që në metrat e para. Kampioni i botës më pas e pati shumë të thjeshtë, teksa vijoi të qëndronte në krye, madje duke krijuar edhe një distancë të konsiderueshme nga ndjekësit. Tjetër podium për Lando Norris, që tregoi sërish së skuadra McLaren tashmë garon më një ritëm ndryshe nga fillimi i sezonit. Këtë e dëshmoi edhe piloti tjetër i kësaj skuadre, Oscar Piastri, i cili e mbylli i pesti, pas Hamilton, ndërkohë që podiumi u kompletua nga Sergio Perez. Meksikani i ‘Red Bull’ ia doli të bënte një garë shumë të mirë, duke dhuruar shumë parakalime, derisa mbërriti tek vendi i tretë. Zona e pikëve u kompletua nga George Russel në vendin e gjashtë, e në radhë Charles Leclerc, Carlos Sainz, Fernardo Alonso dhe Lance Stroll. Gjithësesi, gara në Hungari shënon një tjetër pikë historike për kampionin e botës, Verstappen dhe skuadrën ‘Red Bull’. Për holandezin, kjo ishte fitorja e shtatë radhazi në këtë sezon, duke barazuar emra si Alberto Ascari, Nico Rosberg dhe Michael Schumacher, ndërkohë që mbi të qëndron vetëm Sebastian Vettel, i cili në kohën ku garonte po për ‘Red Bull’ në 2013-ën, siguronte 9 fitore radhazi. Ky duket të jetë objektivi i radhës për Verstappen, që me dominimin që ka shfaqur, nuk e sheh si diçka të paarritshme. Ndërsa për ‘Red Bull’, kjo ishte fitorja e 12 radhazi në këtë sezon, duke parakuluar në këtë mënyrë në librin e rekordeve, britanikët e McLaren, që në 1988 patën siguruar 11 triumfe të njëpasnjëshme. Verstappen ka thelluar edhe më tej distancat në renditjen e përgjithëshme për pilotë, me 281 pikë në këtë sezon, teksa ndiqet me nga Sergio Perez, me 171 dhe Fernarndo Alonso me 139 pikë.