F1, Verstappen barazon rekordin e Vettel

Sport

Max Verstappen ka siguruar fitoren e nëntë radhazi në këtë sezon të ‘Formula 1’ dhe të 11-ën në total, duke barazuar në këtë mënyrë rekordin e Sebastian Vettel, si pilotët me më shumë fitore radhazi në një botëror. Piloti holandez ka bërë detyrën në pistën e shtëpisë së tij, ndonëse kushtet atmosferike nuk i bënë aspak të lehta gjërat. Reshjet e shiut u bënë protagoniste në disa momente të garës, duke kompromentuar në këtë mënyrë edhe strategjitë e skuadrave. Një nga ata që përfitoi në maksimum nga kjo situatë ishte Fernando Alonso, i cili vuri në punë eksperiencën e tij për të bërë një nisje të mirë e për ta mbyllur në fund në vendin e dytë. Piloti i tretë që do të kalonte vijën e finishit do të ishte Sergio Perez, por meksikani kishte marrë një penalizim prej 5 sekondash për shkak të tejkalimit të limitit të shpejtësisë në vijën e bokseve, duke e lëshuar vendin e fundit të podiumit për Pierre Gasly. Francezi i skuadrës ‘Alpine’ siguroi në këtë mënyrë podiumin e parë sezonal, ndërkohë që 10-shja e parë u plotësua nga Carlos Sainz, Lewis Hamilton, Lando Norris, Alex Albon, Oscar Piastri dhe Esteban Ocon. Garë për t’u harruar për Charles Leclerc, i cili nuk e përfundoi dot garën me Ferrari-n e tij, ndryshe nga shoku i skuadrës, Carlos Sainz. Ky i fundit u përpoq të gjente një rezultat më të mirë se sa vendi i pestë, por nën reshjet e shiut, e kishte të pamundur për të rivalizuar me pilotët përpara tij.

Kështu, pas kësaj gare, Verstappen bën një tjetër hap drejt konfirmimit si kampion bote në ‘Formula 1’, teksa numëron plot 339 pikë të grumbulluara. Distanca me Perez të vendit të dytë është rritur në 138 pikë, ndërkohë që Alonso mbron vendin e tretë në renditjen e përgjitshme me 168 pikë, kundrejt 156 pikëve të  Lewis Hamilton. Edhe në renditjen për konstruktorë nuk duket të ketë diskutime për vendin e parë, me ‘Red Bull’ që udhëheq me 540 pikë. Beteja do të jetë tashmë për vendin e dytë, ku Mercedes, Aston Martin dhe Ferrari kanë pretendimet e tyre.