Lewis Hamilton dhe Mercedes ishin më të shpejtët në testet e para përgatitore për sezonin e ardhshëm të Formulës 1, që starton në muajin mars. Me prezantimet e makinave të reja, të gjitha skuadrat janë vendosur në Barcelonë, ku pista e Katalunjës shihet si idealja për të testuar plotësisht projektet e tyre. Mercedes dhe Ferrari ishin skuadrat që i prezantuan makinat më përpara, ndërsa në fundjavë McLaren, Red Bull dhe Force India kompletuan tërësisht këtë proces duke i kaluar projektet e tyre në fazën e testimeve. Kështu në ditën e parë të provave, ashtu sikurse pritej projekti i Mercedesit ishte ai që dha rezultatet më të mira. Pas 152 xhirosh në Katalunja, Lewis Hamilton regjistroi kohën më të shpejtë. Interesante ishte se pas tij u pozicionua me vetëm 113 të qindat më i ngadaltë, Sebastian Vettel me Ferrari. Kjo kohë e gjermanit u arrit me goma të mesme, ndërsa Hamilton kishte goma të buta. BBC raportoi të martën se Mercedes dhe Red Bull ishin dy skuadrat që i fokusuan më së shumti testet e tyre te provat e rezistencës dhe besueshmërisë te motori dhe mekanika. Valtteri Bottas, i cili zëvendëson kampionin e tërhequr Nico Rosberg, ishte i 6-ti me kohën më të mirë. Ky sezon ka sjellë shumë ndryshime në Formulën 1. Gomat janë zgjeruar me 25% krahasuar me vitin e kaluar, pjesa e përparme e makinës është lejuar të jetë më aerodinamike, dhe po kështu edhe pjesë të tjera të makinës. Bishti është ulur dhe difuzorët e ajërit janë lejuar të zgjerohen. Të gjitha këto ndryshime sipas Hamilton, e kanë shtuar adrenalinën në pistë dhe pritshmëritë janë që në gara spektakli të jetë edhe më i madh, pasi makinat pritet të jenë edhe më të shpejta.