Skuderia Williams nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri të “Formula 1”, teksa pas 3 garave të para, është e vetmja skuadër që nuk ka grumbulluar as edhe një pikë. Kritikat ndaj skuderisë legjendare nuk kanë munguar dhe i pari që nxitoi të gjente arsyet e rezultateve negative ishte ish-piloti i kësaj skuadre, Felipe Massa. Braziliani bën fajtor zgjedhjen e drejtuesve të Williams sa i përket pilotëve. Sipas tij, Lance Stroll dhe Sergey Sirotkin nuk kanë eksperiencën për të bërë diçka më të mirë. Mirëpo kanadezi Stroll nuk ka ngurruar t’u kundërpërgjigjet këtyre fjalëve, duke thënë se Massa nuk është më në brendësi të skuadrës për të kuptuar se çfarë po ndodh.
Piloti 19-vjeçar madje krahason paraqitjet e tij me ato Massas në sezonet e kaluara, duke treguar qartë se mes tyre nuk ka ndonjë diferencë të madhe.Lance Stroll madje i dha Williams podiumin e parë pas shumë kohësh, vitin e kaluar në garën e Azerbajxhanit, ku edhe do të zhvillohet gara e ardhshme për vitin 2018. Piloti i ri kanadez shpjegon edhe pse Willimas nuk është më e shpejtë si më parë. Ai tregon se inxhinerët janë përpjekur të barazpeshojnë shpejtësinë me aerodinamikën dhe stabilitetin e makinës. Por kjo kërkon kohën e saj dhe ai i siguron të gjithë se së bashku me pilotin tjetër të skuadrës, rusin Sergey Sirotkin, po përpiqen të japin maksimumin garë pas gare.