Daniel Ricciardo ia ka dalë mbanë të ruajë pozicionin e fituar me “pole-position” dhe e ka mbyllur i pari garën për “Çmimin e Madh” të Monacos. Piloti australian arriti në fakt një fitore mjaft të vështirë, pavarësisht se në fund diferenca me vendin e dytë ishte plot 7.3 sekonda. Kjo, pasi “Red Bull”-i i tij pati probleme me ndryshimin e marsheve dhe motorri i njëvendëshes së tij nuk kishte fuqi të plotë. Megjithatë, Sebastian Vettel dhe Lewis Hamilton u panë të pafuqishëm për të përfituar nga ky defekt i makinës së Ricciardos.
Pikërisht kjo treshe plotësoi podiumin në garën e Principatës, ndërsa finlandezët Raikkonen dhe Bottas u renditën në vendet 4 dhe 5. Zhgënjeu McLaren i Fernando Alonsos që e mbylli garën për shkak të problemeve në makinë ndërsa piloti tjetër i “Red Bull”, Max Verstappen, nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i 9. Rezultat jo i keq duke marrë parasysh se holandezi u nis nga vendi i fundit dhe pista e Monacos nuk të lë shumë vend për parakalime. Në renditjen e përgjithshme, Hamilton vazhdon të kryesojë me 110 pikë, 14 më shumë se rivali i tij kryesor te Ferrari, Sebastian Vettel. Ndërsa Ricciardo pas këtij triumfi, është ngjitur në vendin e 3 më 72 pikë të grumbulluara.