Daniel Riccardo do të rikthehet të garojë në ‘Formula 1’ në këtë sezon, teksa ka siguruar një marrëveshje me skuadrën AlphaTauri. Piloti australian do të marrë vendin e të riut Nyck De Vries, i cili ka zhgënjyer me paraqitjet e tij deri më tani dhe është përballur me shkarkimin nga drejtuesit e skuadrës italiane. De Vries ishte pjesë në vetëm 10 ‘Çmime të Mëdha’ në ‘Formula 1’, në sezonin e tij debutues në elitën e garave me makina dhe ishte shumë larg objetivave të vendosur në fillimin e 2023-shit. Logan Sargeant i Ëilliams dhe Nyck De Vries janë të vetmit pilotë pa as edhe një pikë të vetme në këtë botëror 10 garave të para. Për këtë arsye, AlphaTauri ka vendosur të bëjë një ndryshim të tillë të rëndësishëm. Mbërritja e Daniel Riccardo padyshim që rrit mundësinë që skuadra italiane të jetë pjesë e luftës për zonën e pikëve, gjë që është përpjekur ta bëjë disa herë Tsunoda, por pa patur vazhdimësi. Sa i përket kontratës së Riccardo-s, australiani do të jetë në pistë deri në fundin e sezonit aktual e më pas do të ketë një vendim final nga ana e drejtuesve të AlphaTauri-t, nëse do të vijohet puna me 34-vjeçarin apo jo. Riccardo është shfaqur shumë entuziast për mundësinë që i është dhënë, duke u shprehur se është gati të japë më të mirën e tij në pistë, diçka që i ka munguar jo pak. Kjo nuk është hera e parë që ai bëhet pjesë e kësaj skuadre. Përpara se australiani të bëhej pjesë e ‘Red Bull’, në vitet 2012 e 2013, Riccardo ishte pjesë e asaj që dikur quhej ‘ToroRosso’, ku bëri paraqitje shumë të mira, çfarë sollën edhe promovimin tek skuadra kryesore e markës austriake. Daniel numëron 8 fitore në karrierë në garat e ‘Formula 1’, prej të cilave 7 kanë ardhur me makinën ‘Red Bull’. Australiani garoi edhe për Renault e McLaren, përpara se të përfundonte jashtë planeve të skuadrave për vitin 2023.