Ndonëse podiumi në “Formula 1” edhe këtë vit shkon për 3 skuderitë kryesore, Mercedes, Ferrari dhe Red Bull, kjo nuk i ndalon skuadrat e tjera të vazhdojnë duelin për një vend të katërt sa i përket luftës së konstruktorëve. Një pozicionim pas 3 skuadrave të mëdha do të përkthehej në përfitime ekonomike dhe buxhet më të madh për sezonin e ardhshëm. Për momentin, kjo betejë është mes Renault dhe Haas. Marka franceze është kthyer të jetë disi më konkuruese pas disa sezonesh zhgënjyese. Por në Belgjikë nuk ia dolën të grumbullonin asnjë pikë, pas Hulkenberg ishte protagonisti që shkaktoi aksidentin në kthesën e parë, ndërkohë që Sainz nuk shkoi më shumë se vendi i 11. Kjo ishte vetëm gara e dytë në këtë sezon që Renault nuk merr pikë. Haas nga ana tjetër këtë sezon i ka befasuar të gjithë me paraqitjet e saj.
Skuderia amerikane, e cila furnizohet me motorë Ferrari, ka qenë absolutisht surpriza më e bukur e këtij sezoni dhe aktualisht është kërcënimi më i madh për Renault sa i përket vendit të 4. Numri 1 i markës franceze, Cyril Abiteboul, është i sigurt se skuadra e tij do t’ia dalë të dalë triumfuese në këtë betejë ndaj Haas, që më parë gjatë sezonit është akuzuar se është ndihmuar nga Ferrari për arritjen e rezultateve të saj, duke shërbyer edhe si një lloj skuadre satelite e italianëve. Por këto akuza u hodhën poshtë shumë shpejt edhe nga drejtues të FIA-s, të cilët verifikuan bashkëpunimin mes Haas dhe Ferrari. Skuadra e vetme që mund të mbajë disi ritmin e Renault dhe Haas është Force India. Kurse McLaren vazhdon të jetë larg emrit legjendar që mbart, njësoj si Williams, që deri më tani ka grumbulluar vetëm 4 pikë.