Red Bull ka hyrë në historinë e Formula 1, pas garës së Gjermanisë. Por jo vetëm për triumfin e Max Verstappen. Mekanikët e skuderisë së Milton Kejnes kanë thyer edhe rekordin e shpejtësisë përgjatë një pit-stipi, duke zëvendësuar gomat e makinës së pilotit holandez brenda 1.88 sekondash, duke e futur më pas në pistë. E të thuash që rekordi i ndalesës më të shpejtë në historinë e cirkuiteve të garave ishte fiksuar vetëm 2 javë më parë në Silverstone, kur sërish mekanikët e Red Bullit kishin ndalur kronometrin në kohën 1.90 sekonda me rastin e një pit-stipi të Pier Gasli. Kështu që mund të thuhet se është edhe firma e mekanikëve në suksesin e Verstappen në Hockenheim, ku piloti holandez arriti që të mbërrijë në finish përpara Vettelit dhe Kvijat. Për Red Bullin dhe pilotin e kësaj skuderie ishte fitorja e dytë sezonale, pas atij të ardhur në fundjavën e shtëpisë në Spilberg. Në të dy rastet, pas një nisjeje jo të mirë, 21-vjecari i talentuar nga Holanda arriti të imponohet ndaj kundërshtarëve me grintë e vendosmëri.
Si përfundim ai mori edhe vlerësimin e ish-kampionit të botës, Nico Rosberg, që e ka cilësuar Verstapen si pilotin më në formë për momentin. “Max gaboi nisjen, por më pas rezultoi bashkë me Hamiltonin si më kompetitivi me goma ndër-mesatare. Duke arritur të bëjë presion kundrejt Bottas. Mund të them se u tregua përgjithësisht perfekt, duke mbajtur një ritëm të shkëlqyer përgjatë të gjithë garës”, deklaroi Rosberg, i cili është shfaqur i befasuar për faktin që Verstapen gjendet 22 pikë larg vendit të dytë që mbahet nga Valeri Bottas. Ndërkohë që është shprehur i bindur që nëse Versptaen do të drejtonte një makinë Mercedes, do të ishte me siguri përpara Hamiltonit në renditjen e përgjithshme.