F1, Red Bull mohon t’i ketë ofruar Alonsos vendin e Ricciardos për 2019-ën

Sport

f1

Polemika të shumta kanë lindur në bokset e “Formula 1”, pasi në konferencën për shtyp përpara garës së Belgjikës, Alonso konfirmoi se kishte patur një ofertë nga njëra prej 3 skuadrave kryesore, përpara se ai të njoftonte tërheqjen. Piloti spanjoll nuk preferoi të bënte të ditur se cila ishte skuadra në fjalë, por shumë kthejnë sytë nga Red Bull për këtë çështje, pasi në atë kohë ende nuk kishin gjetur zëvendësuesin e Daniel Ricciardos. Këtë hamendësime janë mëse të drejta, pasi tek Mercedes, Hamilton e Bottas ishin konfirmuar prej kohësh. Tek Ferrari, Vettel e ka vendin të sigurt. Ndërsa duket mjaft e vështirë që skuderia italiane të rikthente Alonson, që kurrësesi nuk do të ishte numri 2 pas Vettel.

alonso
Megjithatë, tek Red Bull nuk kanë vonuar të mohojnë gjithçka. Sipas skuadrës austriake, nuk ka patur asnjë ofertë nga ana e tyre në drejtim të Alonsos. Për këtë mjafton të kujtohen edhe fjalët e numrit 1 të Red Bull, Christian Horner pak kohë më parë, ku tha se politika e skuadrës çon në përzgjedhjen e talenteve të reja, apo të pilotëve që kanë një të shkuar me ngjyrat e Red Bull apo Toro Rosso. Ndërsa Helmut Marko, këshilltari i Horner, pati thënë se në skuadrat ku Alonso ka bërë pjesë, ka qenë ai njeriu kryesor. Tek Red Bull sipas tij nuk funksionon kështu, por të dy pilotët marrin të njëjtin trajtim.