F1, Red Bull firmos me Pierre Gasly për sezonin e ardhshëm

Sport

pierre
Pierre Gasly do të jetë zëvendësuesi i Daniel Ricciardos. Tashmë është gjithçka zyrtare. Red Bull ka vendosur t’i besojë talentit francez një vend tek skuadra kryesore, ku do ta garojë së bashku me të riun holandez, Max Verstappen. Pas firmosjes së Carlos Sainz me McLaren, për Christian Horner, piloti francez i Toro Rosso-s ishte absolutisht zgjedhja e parë, duke konfirmuar fjalët e thëna më parë nga vetë ai se skuadra do të përqendrohet tek talentet e reja të “Formula 1”.

gasly
Kështu tek Red Bull vijojnë ndryshimet e mëdha në skuadër. Nga sezoni i ardhshëm, skuderia austriake do të fillojë punën me motorët Honda, me të cilët Gasly ka punuar mjaft mirë përgjatë sezonit aktual tek Toro Rosso. 22-vjeçari është shfaqur mjaft entuziast për këtë hap të ri në karrierën e tij, pasi beson se Red Bull do të jetë pretendente për titullin kampion nga 2019-a. Pierre Gasly debutoi në “Formula 1” një vit më parë në garën e Malajzisë, ku vinte si pilot zëvendësues. Aty ai i impresionoi drejtuesit e Toro Rossos, që i ofruan një kontratë të rregullt. Për moshën që ka, francezi ka një “CV” mjaft të pasur. Ai është shpallur kampion i kategorisë “GP2 Series” në 2016 dhe nënkampion i “Super Formula” një vit më pas.