F1, Red Bull e Verstappen dominojnë në Bahrein; podium për Alonson

Sport

Max Verstappen dhe ‘Red Bull’ e kanë nisur sezonin e ri në të njëjtën mënyrë siç edhe mbyllën 2022-shin. Piloti holandez dominoi në pistën e Bahrein, në atë që ishte gara hapëse e këtij botëroi, duke siguruar edhe triumfin e parë sezonal. Verstappen nuk e vuri në asnjë moment në diskutim fitoren, ndonëse pilotët e Ferrarit u shfaqën mjaft agresivë në nisjen e garës. Piloti tjetër i ‘Red Bull’, Sergio Perez pati një duel interesant me Charles Leclerc, duke i rrëmbyer vendit e dytë monegaskut. Megjithatë, piloti i ditës ishte Fernando Alonso. Në debutimin e tij si pilot i Aston Martin, spanjolli dhuroi spektakël me duelet ndaj George Russell, Leëis Hamilton apo Carlos Sainz. Në moshën 41-vjeçare, Alonso ia doli të rikthehej në podium, që është i 99-i në karrierë për 2 herë kampionin e botës. Një nisje e jashtëzakonshme e sezonit si për të, edhe për skuadrën Aston Martin, që dha sinjale të qarta se do të jenë një rival i rrezikshëm për Ferrarin dhe Mercedes. Piloti spanjoll ndërkohë përfitoi nga problemet në motorrin e makinës së Charles Leclerc, që vazhdon të ndiqet nga fati i keq. Ferrari i tij pozicionohej i treti kur filloi të humbiste fuqinë motorike, duke ndërlikuar sezonin e monegaskut që në garën e parë. Ndërsa Sainz e Hamilton e mbyllën menjëherë pas Alonsos, me 10-shen e parë që u kompletua nga Lance Stroll, George Russell, Valtteri Bottas, Pierre Gasly dhe Alexander Albon. Gara e radhës në ‘Formula 1’ do të zhvillohet në Arabinë Saudite, pas dy javësh, me skuadrat që do të kenë mundësinë për të rikuperuar diçka në makinat e tyre pas asaj që u dëshmua në Bahrein.