F1 prezanton kalendarin europian për këtë sezon

Sport

‘Fornula 1’ ka prezantuar kalendarin e modifikuar për këtë sezon, sa i përket garave që do të zhvillohen në kontinentin europian. Ashtu siç ishte parashikuar, 2020-a në ‘Formula 1’ do të nisë me garën e Austrisë, në ‘Red Bull Ring’, ku në fakt do të garohet dy herë. Pikërisht cirkuiti austriak dhe ai britanik në Silverstone, kanë arritur një marrëveshje me drejtuesit e ‘Formula 1’ që të garojnë për dy javë radhazi në këto pista. Në Austri do të garohet në datat 5 dhe 12 korrik, ndërsa 1 javë më pas, makinat do të zbarkojnë në ‘Hungaroring’, për ‘Çmimin e Madh’ të Hungarisë. Skuadrat do të kenë mundësinë të bëjnë një javë pushim dhe më 31 korrik dhe 9 gusht, do të jetë radha e garës së Silverstone që do të marrë vëmendjen e të gjithëve. Edhe pse autoritetet spanjolle nuk e kanë konfirmuar në rrugë zyrtare, duket se ‘Formula 1’ ka marrë ‘dritën jeshile’ për të garuar në Barcelonë më 16 gusht, ndërsa datë 30, do të jetë radha e pistës ikonike të Belgjikës, për ta mbyllur më 6 shtator në Monza të Italisë. Kështu është plotësuar kalendari sa i përket ndalesave europiane në ‘Formula 1’, teksa drejtuesit janë ende duke punuar për të gjetur një zgjidhje për garat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Azi. ‘FIA’ ka kërkuar edhe pak durim dhe prezantimi i një kalendari të plotë për vitin 2020 në ‘Formula 1’, do të publikohet vetëm gjatë javëve në vazhdim, pasi të jetë marrë një garanci për mbarëvajtjen normale të garave.