F1, Perez triumfon në Baku; Leclerc nuk ruan dot ritmin e ‘Red Bull’

Sport

Sergio Perez është fitues i ‘Çmimit të Madh’ të Azerbajxhanit në ‘Formula 1’. Piloti meksikan ia ka dalë të fitojë duelin me shokun e tij të skuadrës, Max Verstappen, duke marrë një triumf që vlen shumë edhe në luftën për titullin kampion. Në anën tjetër, Charles Leclerc e kishte të pamundur të rivalizonte me dy pilotët e ‘Red Bull’, pavarësisht se nisej nga ‘pole-position’. Fillimisht do të ishte Verstappen ai që do të merrte kryesimin e garës, pas një parakalimi të thjeshtë ndaj Leclerc, por një flamur i verdhë, që më pas do të kthehej në futjen në pistë të makinës së sigurisë, do të ndërlikonte gjithçka për kampionin e botës. Verstappen zgjodhi momentin e gabuar për të ekzekutuar ndalesën e tij në bokse për ndërrimin e gomave. Perez do të merrte kryesimin dhe me goma të reja, do të menaxhonte siç duhej pjesën e mbetur të garës. Verstappen në anën tjetër do të linte sërish pas vetes Leclerc, për ta mbyllur në vendin e dytë. Në rinisjen e garës, ishte edhe Fernando Alonso ai që ia doli të fitonte një pozicion, duke realizuar një parakalim thuajse të pamundur ndaj Ferrari-t të Carlos Sainz, për vendin e katërt. Ndërkohë 10-shja e parë do të kompletohej nga Lewis Hamilton, Lance Stroll, George Russell, Lando Norris dhe Yuki Tsunoda. Max Verstappen vijon të udhëheqë në renditjen e përgjithshme për pilotë, me 93 pikë të grumbulluara deri më tani. Perez është ndjekësi më i afërt dhe me gjasa do të jetë rivali i tij i vetëm për titullin kampion, me 87 pikë. Më i distancuar është Fernando Alonso me 60 pikë, ndërsa Hamilton numëron deri më tani 48 pikë. Në ‘luftën’ për konstruktorë, ‘Red Bull’ numëron që tani 180 pikë, kurse vendi i dytë mbahet nga Aston Martin, me 87 pikë.