Juventusi i jep fund ecurisë negative, fitore në momentin e duhur për skuadrën bardhezi

Sport

 

Juventusi i ka dhënë fund ecurisë pa fitore në 3 ndeshje radhazi në kampionat. Në javën e 8-të të Serie A, Zonja e Vjetër ka mposhtur me rezultatin 3-0 skuadrën e Bolognas. Në Allianz Stadium, sfida foli vetëm për të zotët e shtëpisë, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 24 të pjesës së parë me anë të Filip Kostiç.

Në fraksionin e dytë, Dusan Vlahoviç dyfishoi shifrat. Sulmuesi i qendrës e shfrytëzoi mjaft mirë krosimin e ardhur nga këmbët e McKennie dhe e dërgoi topin në fundin e rrjetës.

Në një ndeshje të tillë, gjurmë do të linte edhe Arkadush Milik, i cili duhet thënë se i ka bërë një nisje mjaft pozitive këtij sezoni me Juventusin. Në minutën e 62, polaku shënoi golin e 3-të, që për mënyrën e ekzekutimit, mund të cilësohet edhe si më i bukuri i mbrëmjes.

Kjo fitore ka ardhur në momentin e duhur për Juventusin, duke qenë se javët në vijim pritet të jenë tepër intensive. 3 pikëshi i marrë ndaj Bolognas, mund të shërbejë si një pikë kthese pë të besuarit e Massimiliano Allegrit. Mund të shërbejë për të rritur moralin e skuadrës, që të mërkurën mbrëma pret po në shtëpi skuadrën e Macabi Haifa, ndeshje e vlefshme për javën e 3-të të UEFA Champions League. Në dy të parat, torinezët numërojnë po kaq humbje.

Më pas në fundjavë, 36 herë kampionët e Italisë do kenë një tjetër ndeshje të rëndësishme në kampionat, sikurse është ajo ndaj Milanit në transfertë, vështirësia e së cilës konsiderohet të jetë e shkallës maksimale.