Sergio Perez është fituesi i ‘Çmimit të Madh’ të Singaporit në këtë sezon të ‘Formula 1’. Piloti meksikan bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në cirkuitin e ‘Marina Bay’, pasi mori kryesimin që në nisje. ‘Checo’ ishte konstant në ritmin e tij dhe ndoqi me kujdes stategjinë e ‘Red Bull’, duke e kaluar i pari vijën e finishit në atë që mund të cilësohet si një garë perfekte për 32-vjeçarin. Rezultuan të kota përpjekjet e dy makinave Ferrari, me Leclerc dhe Sainz që duhet të kënaqen vetëm me prezencën në podium. Ajo në Singapor rezultoi të ishte një garë e komplikuar për Max Verstappen. Kampioni i botës u përpoq të rikuperonte sa më shpejt pozicione, për të qenë pjesë e luftës për podiumin. Reshjet e shiut e kishin bërë mjaft të rrëshqitshëm asfaltin e këtij cirkuiti, duke bërë që pilotë të shumtë të humbisnin kontrollin e makinave të tyre, mes të cilëve edhe 7 herë kampioni i botës, Leëis Hamilton. Mirëpo ishte dalja e Yuki Tsunoda-a ajo që detyroi makinën e sigurisë të vendoste rregull. Verstappen kërkoi të përfitonte dhe në rinisjen e garës nxitoi të kalonte Lando Norris, por hasi në bllokimin e gomave dhe daljen nga trajektorja, duke bërë që të humbiste shumë pozicione. Dy makinat McLaren, Norris e Ricciardo e mbyllën në vendin 4 e 5, duke lënë prapa makinën ‘Aston Martin’ të Lance Stroll. Verstappen ia doli të rikuperonte sërish disa pozicione, por nuk shkoi më larg se vendi i shtatë, me Vettel, Hamilton dhe Gasly që plotësuan 10-shen e parë. Me këtë rezultat, festa e Max Verstappen për titullin e dytë shtyhet, të paktën për në garën tjetër. Holandezi udhëheq renditjen me 341 pikë dhe konfirmimi si kampion bote në ‘Formula 1’ është vetëm çështje kohe. Leclerc numëron 237 pikë dhe është në betejë për vendin e dytë me Perez, që ka vetëm 2 pikë më pak. Edhe tek renditja për konstruktorë, ‘Red Bull’ dominon me 576 pikë, ndërkohë që Ferrari mbetet i distancuar me 137 pikë më pak.