F1, Nuk ka garë në Imola; përmbytjet anulojnë ‘Çmimin e Madh’ të Emilia-Romagna

Sport

‘Formula 1’ supozohej të xhironte në pistën e Imolas fundjavën e ardhshme, mirëpo një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur. Zyrtarisht, pista ku zhvillohet gara për ‘Çmimin e Madh’ të Emilia-Romagna është tërhequr nga kalendari i këtij viti, për shkak të situatës emergjente të motit. Prej ditësh, pjësë të mëdha të cirkuitit janë përmbytur nga vërshimet e ujit dhe organizatorët e garës e kanë parë të pamundur për të rikuperuar në kohë, duke vendosur bashkë me drejtuesë të ‘Formula 1’, që të anulojnë garën për ‘Çmimin e Madh’ të Emilia-Romagna. Lajmi është konfimruar në rrjetet sociale, ku sqarohet se për arsye sigurie, nuk mund të ketë një garë në Imola përgjatë 2023-shit. Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shumta të shiut kanë nxjerrë në pah shumë probleme të cirkuitit, i hapur për publikun që nga viti 1953. Menjëherë sapo të kalohet momenti i vështirë me përmbytjet, në Imola do të nisë puna për të bërë rikonstruktime të rëndësishme dhe për këtë arsye, ‘Formula 1’ nuk e ka marrë në konsideratë ndryshimin e datës së ‘Çmimit të Madh’ të Emilia-Romagna, përpos kalendarit të ngarkuar të këtij sezoni. Kështu, ky botëror në ‘Formula 1’ nuk do të shohë 23 gara, siç ishte programuar në fillim, por 22, teksa ndalesa e radhës do të jetë në fundjavën e ardhshme në Monako, për garën klasike në Principatë.