F1, Niki Lauda sulmon Ferrarin për episodet me Mercedes

Sport

niki
Kontakti i Lewis Hamilton me Kimi Raikkonen në startin e garës së Silverstone rezultoi të ishte vendimtare për fitoren e Vettel. Pas garës, Hamilton u pa qartësisht i acaruar me pilotin e Ferrarin, aq sa fillimisht e shmangu intervistën pas finishit. Aksidenti mes tyre ka nxitur shumë diskutime, pasi edhe 1 javë më parë në “Çmimin e Madh” të Austrisë, Ferrari i Vettel pati një aksident të ngjashëm me Mercedesin e Bottas, çfarë i kushtoi shumë këtij të fundit.

niki f1
Niki Lauda, legjenda e “Formula 1”, i cili qëndron pranë numrit 1 të Mercedes, Toto Wolf, është shprehur se këto “gabime” të Ferrarit janë të padrejta dhe për t’u marrë në konsideratë. Sipas Laudas, të ashtuquajturat gabime dhe aksidente gare kanë ndikuar në finish dhe mund të kenë peshë akoma më të madhe kur të bëhen llogaritë për titujt kampionë në fund të sezonit. 69-vjeçari është i sigurt kur thotë se nëse aksidenti në xhiron e parë mes Hamilton dhe Raikkonen nuk do të kishte ndodhur, atëherë britaniku do të dilte triumfues nga gara e shtëpisë së tij.  Gara e ardhshme e “Formula 1” do të zhvillohet pas 2 javësh në Gjermani, në pistën e famshme të Hockenheimring.