Sebastian Vettel ishte fituesi i “Çmimit të Madh” të Kanadasë, teksa me Ferrarin e tij ia doli të ruante pozicionin e fituar gjatë provave me “pole-position”.
Për tifozët e këtij sporti, gara e Kanadasë ishte një tjetër zhgënjim pas asaj të Monacos, e cilësuar si gara më e mërzitshme e dekadës së fundit. Edhe në Kanada, nuk u pa asnjë parakalim në pistë tek 7 vendet e para, çfarë për tifozët sjell mungesën e spektaklit.
Megjithatë Vettel, kësaj here nga pozita e fituesit të garës mendon ndryshe. Për gjermanin, nga një-vendëshja e tij gara ishte mjaft e ngarkuar dhe shprehet se njerëzit që mendojnë se gara ishte disi e mërzitshme nuk tregohen aspask largpamës.
Vettel bën edhe një krahasim me ndeshjet e botërorit, ku thotë se shumë ndeshje nuk do të jenë dhe aq të bukura por tifozët gjithësesi do t’i ndjekin.
Kampioni i botës në fuqi, Lewis Hamilton nga ana tjetër është shprehur se duhet ta shohë vetë garën nga ekrani për ta kuptuar atë që thonë tifozët, por disa miq të tij i kanë thënë se momenti më i bukur i gjithë garës në Kanada ishte përplasja në startin e garës me Brendon Hartley dhe Lance Stroll.