Aksidenti i frikshëm i ndodhur në kthesën e parë të garës së Belgjikës kaloi fatmirësisht pa pasoja të rënda, por nuk do të kish’ qenë kështu nëse nuk do të ishte për sistemin ‘Halo’. Niko Hulkenberg ishte ai që shkaktoi aksidentin, pasi nuk ia doli dot të frenonte në kohë Renault e tij, që goditi dhunshëm nga pas makinën e Fernando Alonsos. McLaren-i i këtij të fundit fluturoi mbi Charles Leclerc, i cili pasi ka parë dëmtimet e sistemit ‘Halo’, është shprehur se ndihet me shumë fat.
Ana e djathë e makinës së Alonsos, dhe goma e tij e përparme, po në anën e djathtë, patën kontakt direkt me ‘Halo’-n e makinës së Leclec, çfarë sipas specialistëve të FIA-s, mund t’i ketë shpëtuar jetën pilotit monegask. Kështu ky aksident kaloi pa shumë fjalë, i cilësuar si një moment normal gare, por në rast se ‘Halo’ nuk do të ishte aplikuar, atëherë mëngjesin e së hënës të gjithë do të flisnin ndryshe. Për më tepër, ajo çfarë e bën këtë situatë akoma më prekëse është se sistemi ‘Halo’ u vendos të aplikohej pas aksidentit të rëndë të Jules Bianchi, që humbi edhe jetën. Francezi ka qenë shumë i afërt me Leclerc, me këtë të fundit që e cilësonte Jules si vëllain e tij të madh.