F1, Në Austri fiton Verstappen, garë për t’u harruar për Mercedes

Sport

verstapen
Një makth i vërtetë ka rezultuar për drejtorin e Mercedes, Toto Wolf, gara për “Çmimin e Madh” të Austrisë. “Shigjetat e argjendta” të cilët u nisën nga linja e parë e startit kanë zhgënjyer krejtësisht, kjo jo për shkak të pilotëve, por prej dështimit të makinave Mercedes. Fillimisht i pari që e pësoi ishte Valteri Bottas. Ndërsa pak përpara se jashtë gare të dilte edhe Hamilton, probleme me njëvendëshen pati edhe Daniel Ricciardo.Nga kjo situatë ka ditur të përfitojë Max Verstappen. Piloti i Red Bull ishte thuajse perfekt në interpretimin e garës gjatë 71 xhirove të zhvilluara në “Red Bull Ring”, duke lënë pas vetes dy makinat Ferrari. Vettel nuk bëri një nisje të mirë të garës, dhe arriti vetëm vendin e 3, pasi Raikkonen përpara tij ishte rreth 3 sekonda më i shkëputur. Një garë për t’u mbajtur mend ishte edhe për skuderinë “Haas”, që zuri vendet 4 dhe 5 me dy pilotët, Grosjean dhe Magnussen.

vers

Pas skuderisë amerikane u renditën dy makinat e “Force India”, të ndjekur nga McLaren-i i Fernando Alonsos dhe dy pilotët e “Sauber Alfa Romeo” që mbyllën edhe zonën e pikëve. Ky dështim i Mercedes në garën e Austrisë i ka kushtuar shumë markës gjermane dhe Lewis Hamilton. Ferrari kryeson tashmë renditjen e konstruktorëve me 247 pikë të grumbulluara, 10 më shumë se Mercedes. Ndërsa sa i përket luftës së pilotëve, Vettel ka rimarrë kryesimin me 146 pikë, ndërsa Hamilton e ndjek me vetëm 1 pikë më pak. Për Max Verstappen kjo ishte fitorja e katërt në karrierë dhe e parë për të për këtë sezon. Tashmë 3 skuderitë kryesore, Mercedes, Ferrari dhe Red Bull numërojnë nga 3 fitore secila përgjatë këtij sezoni të “Formula 1”.