F1, Max Verstappen konfirmohet si kampion bote; triumfi në Suzuka, për të synuar një tjetër rekord

Sport

Max Verstappen është kampioni i botës në ‘Formula 1’ edhe për vitin 2022. Piloti holandez është konfirmuar për të dytin vit radhazi si njeriu për t’u mundur në elitën e garave me makina, duke zyrtarizuar titullin pas triumfit të arritur në Japoni. Edhe pse garimi në pistën e Suzukas ishte një mision i vështirë për shkak të reshjeve të shumta, komisarët e pistës vendosën nisjen e garës brenda një minutazhi të caktuar. Verstappen e niste nga vendi i parë dhe ia doli të menaxhonte si duhet gomat, duke ndjekur edhe strategjinë e ‘Red Bull’. Charles Leclerc e ndiqte nga vendi i dytë, me shpresën për të shtyrë festën e Verstappen, por monegasku nuk ia doli të përfitonte diçka në momentin e ndalesave në bokse, që ishte e vetmja situatë kur drejtuesit e Ferrarit mund të bënin diçka.

Leclerc jo vetëm që nuk ia doli të kërcënonte fitoren e Verstappen, por në fund të garës pati edhe një duel intensiv me pilotin tjetër të ‘Red Bull’, Sergio Perez. Meksikani vendosi nën presion Leclerc, i cili në kthesat e fundit do të gabonte, duke prerë shkurt. Edhe pse vijën e finishit e kaloi përpara Perez, ajo dalje nga pista i kushtoi shumë Leclerc, i cili u penalizua pas gare, duke zbritur në vendin e tretë. Kjo bëri që Max Verstappen të shpallej zyrtarisht kampion bote, pasi matematikisht, as Perez dhe as Leclerc nuk kanë shanse të mbërrijnë holandezin. Por për Verstappen, sezoni ende nuk mund të quhet i mbyllur. Triumfi në Suzuka ishte i 12-i për këtë sezon të ‘Formula 1’ për pilotin e ‘Red Bull’. Tani ai është vetëm një fitore larg rekordit të Michael Schumacher dhe Sebastian Vettel, duke synuar një tjetër rekord, për të mbetur në histori.