F1, Lewis Hamilton pranon se ka menduar të qëndrojë 1 vit pushim

Sport

Makinat e ‘Formula 1’ ende nuk kanë zbritur në pistë për këtë sezon, por kampioni i botës, Lewis Hamitlon, shtyn njerëzit të shohin aspektet pozitive të situatës së vështirë me të cilën po përballet njerëzimi pas pandemisë së COVID-19. Në një video-intervistë për kanalin e Mercedes, piloti britanik u shpreh se për momentin po shijon kohën e lirë për të qëndruar më shumë pranë familjes së tij, si dhe për t’i dhënë prioritet disa pasioneve të tjera të tij veç garimit. Hamilton e konsideron këtë periudhë si një pushim të shkurtër, teksa gjeti rastin të zbulonte edhe një prapaskenë sa i përket kontratës së tij me Mercedes. Hamilton u shpreh se gjatë viteve të kaluara, e ka menduar seriozisht që të pushojë për një periudhë 1-vjeçare, pasi e ndjente veten të lodhur fizikisht dhe mendërisht për të përballuar një tjetër sezon të gjatë. Gjithësesi, falë mbështetjes së familjes, ai gjithnjë ka hequr dorë nga një ide e tillë, duke zbritur në fushë dhe duke fituar edhe titullin kampion. Hamilton gjithashtu shtoi se në ‘Formula 1’, teknologjia ecën përpara me ritme shumë të shpejta dhe nëse do të qëndronte jashtë garave për një vit, atëherë kur të rikthehej do ta kishte të vështirë të përshtatej aq shpejt sa pilotët e tjerë. Për momentin, britaniku u shpreh mendon vetëm për t’u rikthyer në pistë dhe për të nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa gjatë këtyre muajve ka punuar shumë për t’u rikuperuar nga disa dëmtime që mori në fundin e vitit të kaluar.