Bashkëpunimi në “Formula 1” mes Sauber dhe Alfa Romeo për momentin nuk po rezulton te jetë mjaft rezultativ, teksa makinat C37 të pilotuara nga Marcus Ericsson dhe Charles Leclerc, në 4 garat e para të këtij sezoni kanë grumbulluar vetëm 10 pikë. Pikërisht ky i fundit ka folur në lidhje me performancat e makinave të furnizuara me motorrë Ferrari dhe zbulon edhe problemin e vërtetë të Alfa Romeo Sauber. Leclerc shprehet se modeli C37 ka treguar që mund të jetë mjaft kompetitiv dhe se në gjysmën e parë të garës në Azerbajxhan, ishte ndër makinat më të shpejta në pistë.
Sipas pilotit nga Monaco, ulja e nivelit të karburantit duket të jetë problemi i Alfa Romeo Sauber, pasi makina me afrimin e fundit të garës nuk vijon të jetë po aq e shpejtë sa më parë.
20-vjeçari në fakt duket i sigurt kur thotë se nëse skuadra ja del të rregullojë këtë problem, atëherë C37 mund të jetë e aftë të duelojë çdo garë për zonën e pikëve. Aktualisht, Alfa Romeo Sauber renditet në vendin e 9 në renditjen për konstruktorë, duke lënë pas vetes vetëm skuderinë Williams, që ka grumbullar 4 pikë. Leclerc arriti të merrte rezultatin më të mirë për këtë sezon për skuadrën e tij, teksa në garën e Azerbajxhanit, ai ia doli të renditej i 6-i.