Fituesi i “Çmimit te Madh” të Monacos, Daniel Ricciardo është një nga njerëzit më të diskutuar për momentin në bokset e “Formula 1”. Kjo pasi pilotit australian këtë sezon i përfundon kontrata me skuderinë “Red Bull” dhe pak kohë me parë ai pati thënë se nëse nuk ka garancitë që kërkon nga skuadra austriake, atëherë ai do të largohet diku tjetër. Prej atëherë shumë spekulime kanë lindur në lidhje me çështjen se cila do të jetë skuadra e Ricciardos nga sezoni i ardhshëm. Ndonëse vetë australiani ka preferuar të qëndrojë në heshjte për momentin, është kampioni i botës në fuqi, Lewis Hamilton që duket se kërkon të qartësojë gjithçka. Sipas britanikut, Ricciardo do të rinovojë e do të qëndrojë tek “Red Bull” dhe kjo ka disa arsye.
Fillmisht Hamilton thonë se Christian Horner, drejtori i skuadrës austriake, i ka dhënë Ricciardos një makinë mjaft të mirë dhe kompetitive, çfarë i ka dhënë mundësinë të duelojë për kryesimin dhe të fitojë edhe garën e Monacos. Gjithashtu, përpos kësaj, Hamilton thotë se piloti australian nuk ka ndonjë opsion tjetër më të mirë. Dy skuadrat e tjera kompetitive për momentin jane Mercedes dhe Ferrari, dhe që të dyja skuadrat në fjalë duken të kënaqura me pilotët e tyre, çfarë mund të shtyjë Ricciardon të firmosë rinovimin me “Red Bull”. Edhe në rast se ai do të kalonte tek Mercedes apo Ferrari, do t’i duhej të pranonte rolin si piloti i dyte, diçka e vështirë për t’u besuar duke njohur objektivat e Ricciardos për të ardhmen e tij.