F1, Kritika të shumta për pistën e Monacos, Hamilton kërkon ndryshime

Sport

hamilton

“Çmimi i Madh” i Monacos është ndër më të famshmit në botën e automobilizmit. Gara e Principatës ka qenë pjesë e “Formula 1” që prej vitit 1929, e prej atëhere ka dhuruar emocione dhe spektakël për të gjithë adhuruesit e këtij sporti. Mirëpo gjërat tashmë kanë ndryshuar shumë dhe gjenerata aktuale e makinave të “Formula 1” duket se nuk po ia del të përshtatet si duhet me këtë pistë. Gara e këtij viti pa si fitues Daniel Ricciardon, i cili e nisi që nga fillimi i pari.
Përveç parakalimeve të Verstappen ndaj makinave shumë të ngadalta se ai, 78 xhirot nëpër qytet nuk dhuruan asgje tjetër. Kjo bëri që shumë pilotë e tifozë të shpërthenin në kritika. Fillimisht Fernando Alonso e më pas edhe Lewis Hamilton e cilësuan si “garën më të mërzitshme të karrierës”, duke dhënë qartë mesazhin e tyre.
Hapësirat për parakalime mungojnë dhe për më tepër, makinat nuk i kalojnë 300 km/h. Piloti i Mercedes u shpreh se pati takuar princin Albert të Monacos dhe organizatorët e garës, dhe u kishte shprehur hapur dëshirën për ndryshime nga sezoni i ardhshëm.
Sipas britanikut kampion bote në fuqi, pista duhet të jetë më e gjatë, pasi aktualisht makinat po e përshkruajnë brenda 1 minuti e 11 sekondash mesatarisht. Gjithashtu ai shtoi se nuk duhet përjashtuar as mundësia e ndonjë ndryshimi të mundshëm në formatin e këtij “Çmimi të Madh”, që gjithësesi mbetet pjesë e rëndësishme e kalendarit të “Formula 1”.