Max Verstappen u konfirmua si kampioni i botës në ‘Formula 1’ për të dytën herë radhazi në karrierë, në një sezon që piloti i ‘Red Bull’ e dominoi. Holandezi arriti të fitonte plot 14 gara, duke thyer edhe rekordin e mbajtur nga Michael Schumacher dhe Sebastian Vettel. Verstappen po ashtu vendosi edhe një rekord si piloti me më shumë pikë të grumbulluara përgjatë një sezoni, plot 416. Më parë, këtë rekord e mbante Leëis Hamilton, me 413 pikë në vitin 2019. Të gjitha këto shifra tregojnë më së miri se Verstappen nuk ka patur rivalë përgjatë këtij sezoni në ‘Formula 1’ dhe për numrin 1 të ‘Red Bull’, Christian Horner, kjo është performanca më dominuese nga një pilot që ai ka parë ndonjëherë. Sipas tij, Verstappen ka treguar së mund të dominojë ndaj pilotëve të tjerë në çdo aspekt dhe mënyra se si ka arritur tek titulli kampion, është diçka që vështirë se mund të përsëritet nga dikush tjetër. Horner shtoi se përpos 14 fitoreve të arritura përgjatë garave, Verstappen ka triumfuar edhe në dy ‘sprint race’, ndërkohë që shumë prej sukseseve nuk kanë ardhur nga ‘pole-position’. Shefi i ‘Red Bull’ ka patur mundësinë të punojë në karrierën e tij edhe me Sebastian Vettel, i cili ka qenë po ashtu dominues nga 2010-a në 2013-ën. Por krahasimi i dy pilotëve sipas tij nuk qëndron, jo vetëm për shkak të stilit të ndryshëm të pilotimit, por edhe për ndryshimet e shumta tek makinat përgjatë epokave. Horner e pranon se Verstappen do të jetë njeriu për t’u mundur edhe në sezonin e ardhshëm. Holandezi do të përpiqet të vijojë më formën e mirë që shfaqi përgjatë 2022-shit, në mënyrë që të vazhdojë dominimin, në një epokë që do të mbajë emrin e tij.