F1, Hamilton triumfon në Francë dhe merr kreun e renditjes

Sport

hamilton
Lewis Hamilton është kthyer tek fitorja teksa arritit ta përfundonte i pari “Çmimin e Madh” të Francës. Britaniku përmbylli një fundjavë të shkëlqyer për të. Ai e nisi garën nga “pole-position” dhe nuk e vuri në asnjë moment në diskutim fitoren e tij. Pas tij në vend të dytë u rendit piloti i Red Bull, Max Verstappen. Holandezi zhvilloi gjithashtu një garë të qetë dhe përfitoi nga kontakti në kthesën e parë të Bottas dhe Vettel, për të zënë një vend në podium. Vettel mori një penalizim prej 5 sekondash për shkak se ishte fajtor në aksidentin me pilotin finlandez të Mercedes. Gjermani i Ferrarit nuk shkoi më shumë se vendi i pestë, pasi vuajti edhe konsumin e tepërt të gomave.

lewis

Bottas nga ana tjetër e mbylli i teti. Sa i përket vendit të fundit të podiumit, dueli ishte mes Daniel Ricciardos dhe Kimi Raikkonen, me këtë të fundit që ia doli të përfitonte nga forma e mirë e Ferrarit të tij për të kaluar australianin. Lewis Hamilton tashmë rikthehet në krye të renditjes së përgjithshme për pilotë, me 145 pikë të grumbulluara. Vettel renditet i dyti me 131, ndërsa ndjekin Ricciardo dhe Bottas me nga 96 dhe 92 pikë. Kurse në renditjen e konstruktorëve, Mercedes vazhdon kryesimin me 237 pikë, e ndjekur nga Ferrari me 214 të tilla.