Lewis Hamilton është ndër të paktët pilotë të ‘Formula 1’ që ende nuk ka firmosur një kontratë për sezonin e ardhshëm dhe mesa duket, kjo gjë do të ndryshojë përpara Krishtlindjeve. Kampioni i botës është pranë rinovimit me Mercedes, ashtu siç edhe pritej nga të gjithë, pavarësisht se pas fitimit të titullit të shtatë, Hamilton pati dyshimet e tij. Por ishte vetë britaniku që konfirmoi më vonë se dëshira e tij është të vijojë aventurën e suksesshme me Mercedes, që nga ana tjetër, duhet të kënaqë kampionin e botës nga ana financiare. Disa postime në rrjetet sociale të skuadrës paralajmërojnë shumë shpejt edhe zyrtarizimin e rinovimit të kontratës me Lewis, që në këtë mënyrë do të synojë të vendosë një rekord absolut në ‘Formula 1’ me 8 tituj të fituar, objektiv që tani duket mëse i realizueshëm. Në këtë mënyrë, Mercedes konfirmon të njëjtë pilotë edhe për sezonin e ardhshëm, me Valtteri Bottas që ka firmosur me herët kontratën e tij për vitin 2021. Ndërsa është konfirmuar edhe rinovimi i kontratës me drejtuesin kryesor të kampionëve të botës, Toto Wolff, i cili do të vijojë detyrën si numri 1 edhe për 3 sezone të tjera. Mercedes dhe ‘Red Bull’ janë të vetmet skuadra që nuk kanë konfirmuar ende dyshen e pilotëve për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, gjërat duket se kanë marrë drejtimin e duhur. Tek ‘Red Bull’ kanë qenë përpara një vendimi të vështirë, duke larguar Alexander Albon dhe duke afruar meksikanin Sergio Perez, i cili mbeti pa skuadër pas përfundimit të kontratës së tij me ‘Racing Point’. Perez shihet si një afrim i rëndësishëm për ‘Red Bull’, për shkak të eksperiencës që ka 30-vjeçari. Albon nuk ia doli të ruante ritmin e shokut të skuadrës përgjatë 2020-ës dhe kjo duket se ka çuar në marrjen e këtij vendimi nga ana e drejtuesve të skuderisë austriake.