Lewis Hamilton nuk ka vonuar për t’i kthyer përgjigje rivalit të tij për titullin kampion, Vettel, teksa fitoi garën e 4 sezonale, pikërisht në “Çmimin e Madh” të Gjermanisë. Pas triumfit në Britaninë e Madhe, Vettel dhe Ferrari vinin për të thyer një tjetër tabu në pistën e Hockenheim, por kushtet atmosferike dhe një gabim i pilotit gjerman i kushtoi fitoren në garën e shtëpisë së tij. Disa reshje të lehta shiu në gjysmën e dytë të garës krijuan një situatë kaotike në pistë, me skuadrat që nuk ishin të vendosura se çfarë gomash të përdornin. Hamilton, i cili u nis nga vendi i 14, bëri një garë me strategji me një ndalesë të vetme në bokse. Zgjedhje, e cila rezultoi mëse efektive për drejtorin e Mercedes, Toto Wolf, që i dërgoi të dyja “shigjetat e argjendta” në vendet e para të podiumit.
Vettel nga ana tjetër, disi edhe i pafat, nuk arriti të ruante trajektoren e makinës në pjesën e tribunave, dhe e mbylli garën i përplasur në muret e pistës. Piloti tjetër i Ferrarit, Kimi Raikkonen ndërkohë u rendit në vendin e tretë, çfarë regjistroi edhe podiumin e 28 për të që nga fitorja e fundit e finlandezit. Zhgënjen “Red Bull”, që u kënaq vetëm me vendin e 4 të Max Verstappen, pasi Ricciardo u tradhëtua nga motori Renault i makinës së tij. Më këtë fitore, Lewis Hamilton rikthehet të udhëheqë renditjen për pilotë me 188 pikë, 17 më shumë se Sebastian Vettel. Rokadë edhe në luftën për konstruktorë, teksa tashmë është Mercedes që udhëheq me 8 pikë më shumë se sa skuderia italiane Ferrari.