Sebastian Vettel ishte njeriu më i kritikuar i fundjavës franceze të “Formula 1”, pasi një gabim i tij në startin e garës, shkaktoi një aksident mes tij dhe Bottas që në kthesën e parë, duke e lënë Hamilton të pilotonte i qetë drejt triumfit. Mirëpo në mbrojtje të gjermanit ka dalë pikërisht kampioni i botës në fuqi dhe rivali i tij më i madh në garën për titullin kampion, i cili thotë se kritikat e ashpra ndaj Vettel janë të tepruara. Sipas Hamilton, fakti se piloti i Ferrarit është 4 herë kampion bote e bën të jetë shënjestër e kritikave pas çdo gabimi. Kjo ka sjellë edhe presion tek ai, çfarë ka ndikuar edhe në përformancat e tij së fundmi.
Në lidhje me penalitetin prej 5 sekondash që iu dha Vettel, piloti i Mercedes mendon se ai dënim i komisarëve të pistës nuk pati asnjë ndikim, çështje kjo që sipas tij duhet rishikuar me kujdes për në garat pasardhëse. Megjithatë, Hamilton shton se një penalitet i tillë për një aksident në kthesën e parë të startit është disi e nxituar. Fakti që në përfshiheshin Bottas dhe Vettel bëri që të merrte një vëmendje të tillë, përndryshe gjithçka do të kalonte si një aksident i thjeshtë gare. Me fitoren në “Çmimin e Madh” të Francës, Hamilton mori kryesimin e renditjes për pilotë me 145 pikë, 14 më shumë se Vettel i Ferrarit.