F1; Hamilton fiton edhe në Spanjë, Ferrari u kthehet problemeve

Sport

hamiltttof

Lewis Hamilton është fituesi i “Çmimit të Madh” të Spanjës. Në pistën e Barcelonës, makinat Mercedes ishin të papërmbajtshme, me Hamilton që e mbylli garën me plot 20,5 sekonda diferencë nga vendi i dytë, që i shkoi shokut të tij të skuadrës Valteri Bottas. Gara do të vendosej nën regjimin e makinës së sigurisë vetëm 3 kthesa pas startit të garës, për shkak të një aksidenti të shkaktuar nga makina Haas e Romain Grosjean, që përfshiu edhe Reanult e Nico Hulkenberg apo “Toro Rosso”-n e Pierre Gasly. Ka zhgënjyer ndërkohë Ferrari, që pas fillimit të mirë të sezonit, duket se i është rikthyer problemeve. Raikkonen braktisi garën në xhiron 25, për shkak të defekteve të motorrit të ri “Poëer-Unit” të njëvendëshes së tij. Kurse Vettel u vonua gjatë kryerjes së “pit-stop”-it, duke i dhënë mundësinë Red Bull-it të Max Verstappen të rrëmbente vendin e tretë në podium. Skuderitë kryesisht ndoqën strategjinë me nga 1 “pit-stop”, teksa ishin gjatë gjithë garës në pritje të shiut, që në fakt nuk erdhi mbi pistën e Katalonjës.
Në këtë mënyrë, në renditjen e përgjithshme, Hamilton ruan vendin e parë dhe thellon në 17 pikë diferencën me Vettel të vendit të dytë. Ndërsa sa i përket “luftës” së konstruktorëve, Mercedes udhëheq me 153 pikë, e ndjekur nga Ferrari me 126 pikë.