Lewis Hamilton mbajti gjallë shpresat e tij për t’u rishpallur kampion Bote në Formulën 1 duke fituar të dielën Cmimin e Madh të Meksikës. Piloti britanik pati një nisje disi të frikshme të garës, por që më pas nuk pati aspak vështërsi deri në xhiron e fundit. 31-vjecari shënoi kështu fitoren e 51 në karrierë. Por nga ana tjetër merr frymë disi më lirisht Nico Rosberg. Piloti gjerman arriti ta mbyllë i dyti këtë garë dhe kur kalendari parashikon edhe dy cmime të tjera, ai mbetet i pari në klasifikimin e përgjithshëm me 19 pikë distancë nga shoku i skuadrës me 349 pikë kundrejt 330 të Lewisit. Pas dyshes së Mercedesit vendi i tretë i podit ishte një lojë nervash. Sebastian Vettel, arriti ta parakalojë Daniel Ricciardon, por nuk u përmbajt shumë kur përballë kishte Max Verstappenin. 18-vjecari i Red Bullit, kreu një lojë të rrezikshme teksa herë-pas-here i bllokoi rrugën pilotit të Ferrarit, madje edhe duke përfituar me dalje nga pista. Gjithcka vetëm e vetëm që Ricciardo të mund ta kalonte Vettelin. Në fund rezultati ishte tejet negativ për kokë-kuqen. Vettel u penalizua për mos-respektim të rregullores në zonat e frenimit dhe e humbi vendin e tretë. Nervozizmi i tij u dëgjua në komunikimet me radio, kur ofendoi rëndë jo vetëm holandezin Verstappen por edhe komisarët e pistës. Si përfundim Vettel rezultoi i pesti pas dy makinave Red Bull dhe pas tij u rendit Raikkonen. Sa i përket luftës për titull, për të fituar, Rosbergut në dy garat e fundit mund t’i mjaftojë edhe një vend i 2-të dhe i 3-të pavarësisht rezultatit të Hamiltonit.