F1, Hamilton dhe Mercedes dominojnë edhe në Hungari

Sport

Lewis Hamilton mbetet njeriu për t’u mundur në ‘Formula 1’. Kampioni i botës në fuqi drejtoi makinën Mercedes drejt fitores së radhës, teksa dominuan në fundjavën në Hungari. Piloti britanik, i cili e nisi nga ‘pole-position’, nuk e vuri asnjëherë në diskutim triumfin e tij në këtë garë, ndërkohë që të vetmit që provuan të ruanin disi ritmin e tij, ishin Max Verstappen dhe Valtteri Bottas, të cilët plotësuan podiumin në ‘Hungaroring’. Tjetër paraqitje e mirë nga skuadra ‘Racing Point’, me Lance Stroll që e mbylli në vendin e katërt dhe Sergio Perez në të shtatin. Sa i përket Ferrarit, skuderia italiane vijon të shfaqë probleme të mëdha. Vettel u rendit i gjashti ndërsa Leclerc e mbylli jashtë zonës së pikëve, por ajo që vlen të theksohet është fakti se të dyja makinat e kuqe mbetën një xhiro prapa makinave Mercedes e ‘Red Bull’. Verstappen, i cili pati disa probleme para nisjes së garës, ia doli të shfrytëzonte në maksimum ‘lojën’ e mirë që bëri skuadra e ‘Red Bull’ në bokse, duke konsoliduar vendin e dytë. Ndërsa Bottas bëri një nisje të dobët, çfarë në fund i kushtoi jo pak. Kështu, Hamilton merr fitoren e dytë në 3 garat e para të këtij sezoni, ndërkohë që ishte triumfi i tetë në karrierën e tij në pistën e ‘Hungaroring’, duke barazuar rekordin e Michael Schumacher për numrin e fitoreve në një pistë të vetme. Britaniku tani udhëheq renditjen e përgjithshme për pilotë me 63 pikë, vetëm 5 më shumë se sa shoku i skuadrës, Bottas, ndërkohë që i distancuar me vetëm 33 pikë gjendet në vendin e tretë Max Verstappen. Ndërsa tek konstruktorët, Mercedes ka filluar që tani shkëputjen. Skuadra e drejtuar nga Toto Ëolff, që ka fituar të treja garat e para të këtij sezoni, llogarit tani 121 pikë, me ‘Red Bull’ që ndjek me 55 pikë.