Pas një sezoni jo në lartësinë e duhur, Ferrari ka prezantuar të premten makinën e re me të cilën do të diskutojë këtë vit Formulën 1. Prezantimi u bë në Fiorano dhe makina e re quhet SF70H dhe thuhet se do të jetë mjaftueshëm konkurruese sa të vërë në diskutim hegjiemoninë që po gëzon Mercedes vitet e fundit. Një “reformë” e vërtetë ka përfshirë skuderinë e kokëkuqes, e cila ka ri-organizuar stafin në prapavijë. Rikonfirmime për 4 herë kampionin e botës Sebastian Vettel dhe po kështu për një herë kampionin Kimi Raikkonen. Të dy pilotët në fjalë kanë gjithsesi vitin e fundit në kontratë me Ferrarin dhe ky pritet të jetë basti i fundit për ta. Pikërisht për t’i paraprirë së ardhmes, skuderia italiane ka promovuar si pilot të tretë Antonio Giovinazzin, nën kampion bote në garat GP2. Për sa i përket makinës, emri SF70H është për shkak të përvjetorit të 70-të të kompanisë, e cila synon që pikërisht për këtë vit të arrijë t’i rikthehet suksesit. Kjo është makina e 63-të e skuderisë, që në Formulën 1, ka ideuar gjithmonë novacione në pararojë për sa i përket automobilizmit, që prej vitit 1950-të. Pikat që janë ndryshuar ndjeshëm krahasuar me makinën e vitit të kaluar janë aerodinamika dhe mekanika, dy pjesë në të cilat sezonin që shkoi Ferrari vuajti më së shumti. Problemet thuhet se janë zgjidhur, tanimë provat duhet t’i japë pista me Formulën 1 që starton zyrtarisht më 26 mars.