Duket se performancat e mira të fillimit të sezonit në “Formula 1” janë harruar tek Ferrari, pasi skuderia italiane tashmë u është rikthyer problemeve me makinën. Në garën e Spanjës, në Barcelonë, Kimi Raikkonen u detyrua të ndryshonte motorrin e tij “Power-Unit”, pas problemeve me motorrin e vjeter në garat e kaluara. Mirëpo edhe me motorrin e ri, njëvendëshja e tij dështoi të përfundonte garën, teksa në xhiron e 25, Ferrari i tij humbi fuqinë. Por telashet për pilotin finlandez nuk kanë mbaruar. Me rregullat e reja të “Formula 1”, çdo pilot ka të drejtë të përdorë deri në 3 motorra përgjatë gjithë sezonit, ç’ka do të thotë se Raikkonen mund ta ndryshojë vetëm 1 herë tjetër motorrin e makinës së tij.
Kështu me shumë gjasa, edhe në garën e ardhshme te Monacos, ai do të garojë me të njëjtin motorr V6 që garoi edhe në Barcelonë, që siç zbulohet nga bokset e Ferrarit, pati një ndërprerje të fuqisë në cilindrat e krahut të majtë. Tek skuadra italiane po punohet në maksimum që ky problem të zgjidhet, ku do të shihet me kujdes edhe situata e motorrit të pilotit tjetër, Sebastian Vettel. Sa i përket përdorimit të motorrit të fundit të Raikkonen, zgjidhja më e logjikshme për Ferrarin shihet në garën e Gjermanisë në muajin korrik, por që gjithësesi në fund të sezonit, makina e finlandezit do të kërkonte një motorr të ri, aplikimi i të cilit do të sillte edhe një penalitet dhe gjobe për Raikkonen dhe Ferrarin.