F1, Carlos Sainz mund të marrë vendin e Vettel tek Ferrari për vitin 2021

Sport

Largimi i Sebastian Vettel nga Ferrari në fundin e këtij sezoni është kthyer në lajmin kryesor të botës së ‘Formula 1’. Gjermani ndërpret kontratën e tij me markën e famshme italiane, me justifikimin se për të dyja palët, ky ishte vendimi më i mirë që mund të ndërmerrej. Por menjëherë pas konfirmimit të largimit të Vettel, kanë filluar spekulimet se cili pilot do të marrë vendin e tij nga viti 2021. Të gjithë tifozët e Ferrarit menduan për djalin e Michael Schumacher, Mick, i cili për momentin garon në kategori më të ulët, por që mbetet pjesë e akademisë së Ferrarit. Megjithtë, duket e vështirë që Mick Schumacher të bëjë në vitin 2021 debutimin e tij në ‘Formula 1’, prandaj mediat po spekulojnë edhe emra të tjerë. Ai më i përfoluri është Carlos Sainz. Piloti spanjoll është ndër më të vlerësuarit dhe pas asaj që tregoi në sezonin e kaluar, 25-vjeçari duket si një nga alternativat më të mira që ka Ferrari për momentin. Në fakt Sainz raportohej se ishte në balotazh me Daniel Riccardon, sa i përket kalimit të Ferrarit, por informacione në brendësi të markës italiane, kanë zbuluar se Riccardo ka firmosur me McLaren për vitin 2021. Kështu, për Sainz, rruga për të marrë vendin e Vettel tek Ferrari është e lirë. Njerëz pranë markës italiane konfirmojnë se zyrtarizimi i Sainz për vitin 2021 do të ndodhë brenda 1 javë, teksa vetë spanjolli ende nuk ka konfirmuar asgjë rreth këtyre spekulimeve. Leclerc nga ana tjetër duket se do të bëhet numri 1 i sa i përket makinave të Ferrarit, që shpreson se monegasku mund t’i japë fund dominimit të Lewis Hamilton.