Fernando Alonso mund të rikthehet në të ardhmen të garojë në “Formula 1”, të paktën kështu beson ish-piloti i njohur, Jenson Button. Alonso lajmëroi se ky do të jetë sezoni i fundit në kategorinë më spektakolare të garave me makina, por sipas Button, ky largim i spanjollit nuk është definitiv. Button beson se një nga arsyet kryesore të tërheqjes së pilotit të McLaren është edhe dështimi i skuderisë nga Woking në vitet e fundit, për të ndërtuar një makinë kompetitive. Si një ish-pilot, Button zbulon se në moshën e Alonsos, në “Formula 1”fillojnë e lodhen nga udhëtimet e streset e shumta, qoftë edhe nëpër teste.
Megjithatë, britaniku duket i sigurt kur thotë se në rast se McLaren do t’ia dalë të ndërtojë një makinë të shpejtë e pretendente, atëherë nuk do të ishte çudi që Fernando Alonso të rikthehej në “Formula 1”, qoftë edhe për një sezon të vetëm. Shkëputja e McLaren nga Mercedes vite më parë, ka sjellë jo pak probleme për skuadrën e drejtuar nga Zak Brown, që pas problemeve me motorët Honda, zgjodhi të bashkëpunonte këtë sezon me Renault, por që për momentin nuk ka sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm tek kjo skuadër.